Secondary Adv

Tirana, ndër kryeqytetet më të mira për investime në pasuri të paluajtshme

Tregu i pronave është ndër sektorët me zhvillimin më të madh në vend, për shkak të investimeve të shumta dhe rritjes së vazhdueshme të çmimeve, sidomos pas periudhës së pandemisë.

Investimet dhe risitë në sektorin imobiliar, veçanërisht në kryeqytet, kanë marrë hov të madh falë zhvillimeve të shpejta urbane dhe rritjes së turizmit. Kjo ka tërhequr gjithnjë e më shumë vëmendjen e investitorëve të huaj, të cilët po e shohin tregun shqiptar si një mundësi premtuese për fitime afatgjata.

 

Sipas një prej portaleve më të mëdha evropiane të shitblerjeve, “Your Overseas Home”, Shqipëria renditet ndër vendet më të përballueshme për investime në pasuri të paluajtshme. Studimi ka analizuar tregjet e kryeqyteteve europiane dhe ka arritur në përfundimin se pronat në Europën Lindore ofrojnë më shumë vlerë për paranë krahasuar me ato në Evropën Perëndimore dhe Qendrore.

 

Në listën e dhjetë kryeqyteteve më me vlerë për të blerë një pronë përfshihen Prishtina, Jerevani, Sofja, Zagrebi, Podgorica, Tirana, Shkupi, Baku dhe Sarajeva, duke e pozicionuar rajonin si një alternativë tërheqëse për investitorët.

 

Ndërkohë, sipas raportit të Deloitte për Indeksin e Pronës, tregu i pasurive të paluajtshme në Europë po përjeton një valë të re rritjesh. Polonia kryeson me rritjen më të madhe të çmimeve të banesave të reja, 19.3% midis viteve 2023 dhe 2024, e nxitur nga një skemë subvencionesh qeveritare që shtoi ndjeshëm kërkesën.

 

Në këtë panoramë, Shqipëria renditet menjëherë pas Polonisë, me një rritje prej 16.6% në çmimet mesatare të banesave të reja. Pas saj vijnë Bosnje Hercegovina dhe Izraeli (+12.7%), Hungaria (+11.9%), Kroacia dhe Rumania (+11.5%), si dhe Italia (+11.2%) dhe Greqia (+10.2%). Këto të dhëna tregojnë një prirje të qartë rritëse në rajon, të lidhur ngushtë me kërkesën e fortë dhe zhvillimet infrastrukturore.

 

Ndër qytetet me rritjen më të madhe të çmimeve spikasin Krakow (+28.1%) dhe Jerusalemi (+25.2%), ndërsa Tirana dhe Vlora renditen menjëherë pas tyre me një rritje prej 25% secila. Interesi i lartë i blerësve vendas dhe të huaj, sidomos në Vlorë, është shtuar ndjeshëm për shkak të zhvillimeve të mëdha në turizëm dhe investimeve infrastrukturore si Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, Bypass-i dhe Tuneli i Llogarasë.

 

Sipas anketës së Bankës së Shqipërisë për gjysmën e dytë të vitit 2024, rreth 50% e blerjeve të banesave janë financuar përmes kredive hipotekore, që mbulojnë deri në 60% të vlerës së pronës.

Koha mesatare për shitjen e një shtëpie është 9.3 muaj në nivel kombëtar, krahasuar me 10.5 muaj më parë. Në Tiranë, kjo periudhë është ulur ndjeshëm në 7.1 muaj, çka tregon rritjen e kërkesës aktive.

 

Interesi i blerësve të huaj është gjithashtu në rritje, 18% e shitjeve në gjysmën e dytë të vitit 2024 i përkasin jorezidentëve, kryesisht shtetasve të Bashkimit Evropian. Kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në mbajtjen e kërkesës së lartë dhe rritjen e çmimeve.

 

Në përfundim, të dhënat tregojnë se Shqipëria është ndër vendet më të përballueshme, por edhe më premtuese për investitorët e huaj edhe pse çmimet janë rritur. Përveç çmimeve ende konkurruese për Europën, vendi do të përfitojë ndjeshëm nga procesi i integrimit në Bashkimin Evropian, që pritet të rrisë vlerën e tregut dhe të nxisë një zhvillim të qëndrueshëm në sektorin e pasurive të paluajtshme. /Scantv


Më të lexuarat